PĖRMBYLLET PROCESI I LICENCIMIT AFATGJATĖ NĖ REPUBLIKĖN E KOSOVĖS
Prishtinë 12 mars 2010 Në mbledhjen e 40-të me radhë të mbajtur me 12 mars 2010, Këshilli i KPM-së vendosi për licencimin e subjekteve transmetuese të fazës së tretë. 9 subjekte transmetuese kanë aplikuar për licencë afatgjatë me kërkesën që të zgjerojnë mbulueshmërinë e tyre dukë shfrytëzuar pikat transmetuese të rrjetit nacional, duke bërë ndryshime të parametrave teknike apo duke operuar me disa frekuenca shtesë. Këshilli i KPM-së ka shqyrtuar individualisht të 21 aplikacionet dhe ka vendosur që të lejohet zgjerimi i mbulueshmërisë me rritje të fuqisë transmetuese dhe ndërrim të lokacionit të transmetuesit, përderisa nuk ka aprovuar kërkesat e shfrytëzimit të frekuencave shtesë dhe transmetimin nga pikat nacionale. Me licencimin e këtyre subjekteve transmetuese përmbyllet procesi i licencimit afatgjatë, pas të cilit KPM do të analizojë planin e përgjithshëm frekuencorë për të nxjerrë një pasqyrë të qartë për frekuenca të lira radio televizive, të cilat do të ofrohen për aplikim nga palët e interesuara. Licencat e reja do lëshohen varësisht prej disponueshmërisë së frekuencave të lira në pajtim më planin frekuencor të Kosovës dhe nevojës për të ofruar qasje në një radio apo TV stacion në një regjion të caktuar. Kandidatët të cilët do të aplikojnë për frekuenca të lira të KPM-së do ti plotësojnë të gjitha kriteret e parapara me Rregulloren e KPM-së mbi Kualifikimet për dhënien e Licencës së KPM-së për Transmetim. KOMISIONI I PAVARUR PËR MEDIA
|